KSZD

Takimi i hapur i Komisionit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi me shoqërinë civile dhe institucionet lokale në Gostivar

Komisioni për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi (KPMD) vazhdon të mbajë takime të hapura me përfaqësues të sektorit civil dhe institucioneve në nivel lokal. Qytetarët dhe aktivistët e organizatave të shoqërisë civile dhe përfaqësuesit e institucioneve në komunën e Gostivarit dhe rrethinën e saj, nesër (6 korrik 2023) do të kenë mundësinë të diskutojnë dhe të caktojnë problemet e mundshme sistematike me diskriminimin.

“Për kënaqësinë tonë të madhe, besimi i Komisionit tek qytetarët po rritet, gjë që vihet re edhe përmes rritjes së numrit të ankesave që qytetarët paraqesin për mbrojtje nga diskriminimi. Për ne, kjo paraqet një përgjegjësi të madhe, por edhe një motiv shtesë për angazhim të mëtejshëm në drejtim të promovimit të barazisë, avancimit të të drejtave të njeriut dhe parandalimit dhe mbrojtjes nga çdo lloj diskriminimi në vendin tonë. Ne përpiqemi dhe arrijmë t’u përgjigjemi të gjitha ankesave brenda një kohe të arsyeshme dhe jemi vërtet shumë të lumtur që publiku e njeh këtë. Qëllimi i këtyre takimeve është përmirësimi i mëtejshëm i komunikimit me përfaqësuesit të sektorit civil dhe pushtetit lokal lidhur me kompetencat tona, mënyrën se si veprojmë dhe vendosim dhe rolin e tyre në të gjithë procesin, sepse njohja dhe çrrënjosja e të gjitha formave të diskriminimit është detyrë dhe detyrim i përbashkët“, theksojnë nga KPMD.

Këto takime janë pjesë e aktiviteteve që Komisioni ndërmerr për të afruar punën e tij me qytetarët, si dhe për ta rritur transparencën në punën e tij. Gjithashtu, ditët e hapura paraqesin një mundësi për ta thelluar bashkëpunimin me sektorin civil dhe institucionet në nivel lokal për të ngritur nivelin e njohjes së diskriminimit, si edhe në luftën efektive kundër tij.

Takimet e hapura me përfaqësues të sektorit të shoqërisë civile dhe institucioneve në nivel lokal filluan muajin e kaluar në Kriva Pallankë, në të cilin anëtari i Komisionit, Irfan Deari, pati një diskutim të frytshëm. Takimet do të vazhdojnë më 13 korrik në komunën e Gjevgjelisë, ndërsa deri në fund të këtij viti janë planifikuar takime të hapura edhe në gjashtë qytete të tjera të vendit. Këto aktivitete realizohen me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Shkup. Ndryshe, Komisioni për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi, përveç rolit mbrojtës dhe reagimit ndaj ankesave nga qytetarët, si detyrë zyrtare, ka edhe rol parandalues, të cilin e realizon përmes edukimit dhe bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile, institucionet shtetërore dhe institucionet në nivel lokal.

Leave a Reply

Skip to content