Presidenti i vendit, Stevo Pendarovski shprehu mbështetje për pavarësinë institucionale të Komisionit për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi. Në takimin e sotëm të Presidentit me anëtarët e Komisionit, ai përshëndeti përpjekjet e KPMD-së për sensibilizimin e opinionit, informimin dhe edukimin e qytetarëve për llojet e diskriminimit me të cilët përballen.
Anëtarët e Komisionit e njoftuan Presidentin për sfidat në punën dhe ngritjen e institucionit, si dhe për rezultatet e arritura në vitin e parë të funksionimit.
Në takim u prezantua puna e Komisionit, veprimet e deritanishme lidhur me ankesat e paraqitura, si dhe aktivitetet për promovimin e të drejtave të njeriut dhe eliminimin e të gjitha llojeve të diskriminimit.
Përfaqësuesit e Komisionit dhe Presidenti Pendarovski u pajtuan për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve me qëllim të promovimit të aktiviteteve për shuarjen dhe luftën kundër diskriminimit.