Në vijim të procedurës së nisur nga Komisioni i Parandalimit dhe i Mbrojtjes nga Diskriminimi (KPMD), lidhur me njoftimin në media se Inspektorati Shtetëror Shëndetësor dhe Sanitar (ISHSHS) do të publikojë në faqen e tyre në internet emrat, mbiemrat dhe adresat e të sapoinfektuarve me KOVID19, sot është zhvilluar një takim mes dy institucioneve.
Në takim, përfaqësuesit e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor dhe Sanitar theksuan se sistemi i përpunimit dhe shpërndarjes të vendimeve për izolim është i gjerë dhe i vjetëruar, gjë që krijon shumë probleme në praktikë. Situata është komplikuar edhe më shumë nga vala e re në rritje e infeksioneve të reja dhe shkurtimi i afateve të izolimit.
Përfaqësuesit e Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor dhe Sanitar theksuan se tashmë janë shqyrtuar shumica e opsioneve për shpërndarje më efikase të vendimeve dhe se në bashkëpunim me një IT kompani është diskutuar për një sistem të ri elektronik për dërgimin e vendimeve për izolim.
Gjatë krijimit të këtij sistemi, përfaqësuesit Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor dhe Sanitar theksuan se janë konsultuar me profesorë të Fakultetit Juridik dhe ekspertë të Agjencisë për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, që do të thotë se sistemi do të ketë parasysh rregulloret ligjore pozitive për mbrojtjen e të dhënave personale.
Në fund të takimit të dy institucionet konkluduan se do të jenë në komunikim të vazhdueshëm për të parandaluar diskriminimin e mundshëm duke aplikuar këtë mënyrë të publikimit dhe dorëzimit të vendimeve të izolimit. KPMD-ja do të jetë në vijimësi dhe do të ndjekë hapat e mëtejshëm drejt zgjidhjes së këtij problemi dhe nëse koncepti i propozuar nuk përmban elemente diskriminimi, do ta mbështesë atë.